March 12, 2022

Sonila-Meço-tek-Kodra-e-Diellit

Ishte mars 2020. Bota po tkurrej në një izolim të paprovuar, ndërsa ne rrekeshim të organizonim jetën tonë në kushte të paimagjinueshme gjer ato kohë. Një mikeshë e dashur, duke parë ankthin tonë na sugjeron një ide: një lagje më miqësore në kohë pandemie, madje me një emër rrezatues, Kodra e Diellit.

Amaris nuk mësohej dot me idenë e mësimit online, si mund të bëhej shkollë pa praninë e shokëve e shoqeve, pa bërë rengje me njëri-tjetrin dhe pa gërvishtur gjunjë e brryla nëpër ngarendjet në pushimet e vogla mes orëve?! Si mund të rrihej brenda katër mureve duke dëgjuar çdo bisedë të mërzitshme të të rriturve?!

Nuk kishim kohë të mendonim për veten, e vogla dhe prindërit e moshuar ishin shumë më të brishtë se unë dhe Drini.

Por jo çdo e keqe bujt për keq…

Kur rrethohesh nga paniku e pasiguria, kërkon me çdo kusht një dalje shpëtimi dhe ideja na u duk bekim.

Rastisi e dielltë dita kur hymë tek Kodra e Diellit për të kuptuar kësisoj siç duhet entuziazmin e mikes sonë për një mundësi jetese aty.

Në traun kryesor të hyrjes, punonjësi i shërbimit të sigurisë, i prerë, por me shumë mirësjellje na kërkoi arsyen e vizitës.

Me të hyrë në rezidencë ndjemë përkëdheljen e aromave të pemëve e luleve, paqen e gjelbërimit masiv, çlodhjen nga cicërimat e zogjve dhe një rregull e qetësi terapeutike.

“Dua, dua, dua të jetojmë këtu!”, u ngazëllye vrik Amaris, krejt jashtë natyrës së saj vëzhguese, racionale e të ftohtë.

Drini fshihte me kujdes entuziazmin, pasi zakonisht isha une natyra impulsive, emotive dhe reaguese e familjes.

“Nëse mund ta ëndërrosh, mund ta realizosh”, dëgjoj të voglën time pas meje. Shtanga nga fjalët e mençura dhe ndërsa kthehem e mahnitur ta përqafoj më tregon me gisht nën këmbë pllakat dekorative, plot thënie motivuese e fjalë të urta. E gjithë shëtitorja e pjesës hyrëse ishte një vepër arti përqafuar nga natyra.

Punime qeramike në çdo kënd, fasada të dekoruara, parqe të vogla me stola e hapësira ku nisa të imagjinoj Amarisin duke luajtur e veten duke bërë ndonjë pozë shkrydhëse yoge.

Punonjës shërbimi ujitnin lulet, kujdeseshin që asnjë mbeturinë mos harrohej rruginave të gjelbërta, që siç e përjetuam më vonë mbeteshin të tilla në çdo stinë.

Dikush vraponte në korsinë e veçantë për ta, ndonjë gjysh e gjyshe shëtiste mbesën a nipin me karrocë, dikush Labradorin a Haskin, një vajzë kish zënë një vend të paqtë nën selvi spërkatur nga dielli dhe lexonte krejt e përfshirë.

Aty ishin farmacia, dyqanet ushqimore, pastrimi kimik, piceria, lokalet, restorantet…

Një hap nga çdo banesë.

Amaris zgjati dorën për të kapur një ftua dhe një punonjës shërbimi qeshi duke na përshëndetur e mandej shtoi duke parë shqetësimin tim për veprimin e të voglës:

“Nuk ka vetëm ftonj, ju pret parku me pemët e qershive, pa do gjeni hurmat, pemë shekullore ulliri…”.

“Jemi në Dardhë a Tiranë?”, thotë befas Drini e ia plasim gazit.

Ngjitja në Kodër, në ato ditë karantine po na dukej bekim. Mushkëritë mbusheshin me ajër të pastër, syri shijonte spektaklin e vet të ngjyrave të natyrës. Hibiskuset, violat, margaritat i linin vendin “Bulevardit të Manjolave” dhe ndërsa ndalonim të shijonim veprat e artit në çdo cep dikush na shihte kureshtar e shtonte: “Prisni petunjat, bukenvilet e jaseminët!”…

“Ky ngjan si dekor filmi”, ia pret Drini që llogariste me mend hapat dhe kilometrat që mund të bënte nga hyrja Rezidencës Kodra e Diellit 1 tek Parku i Qershive. Stërvitje e plotë ditore sa zbret shkallët e pallatit, apo sa del nga kompleksi i vilave.

Pa mbaruar përllogaritjet e kileve të humbura në pak javë edhe në kushte karantine, dëgjohet një tingull i çuditshëm që na ndërpreu fantazinë e trupave të tonifikuar.

Pallonjtë ishin përfshirë në një shfaqje krenarie në bazenin pranë ku më vonë do të mësonim se mbushej bashkë me shumë të tjerë nga burime ujore natyrale. Spektakël më vete, pa prerë biletë. Në kthimin nga puna, ecjen ditore, përgjatë shëtitjes mund të shijoje mjellmat, patat e rosat në performanca falas, sikur të ishe në një copëz kopshti zoologjik.

“Mam, gardalina, pëllumbat, uuuu qukapiku!” gëzonte e vogla shfaqjen bujare të natyrës.

“Më ngjan sikur jam kthyer në Tiranën e fëmijërisë, në bahçen e tezes, ekskursionet me klasën”, i them Drinit, që kish ndalur pranë një strukture të xhamtë ku ishin mbledhur sende shkollore, rroba për fëmijë, ushqime dhe ku në qendër një arkë të ftonte për kontribut.

“Fëmijët e komunitetit rom kanë nevojë për ju”, lexoi Drini teksa Amaris më pa me sytë plot lëng duke më treguar shitoren me fruta të freskëta pranë.

“A vendosim edhe ne diçka?”, më pyeti gjithë gëzim.

“Kështu jemi ne tek Kodra e Diellit!”, iu kthye gruaja, që tashmë na qe bashkuar e shoqëronte në njohjen tonë të parë me rezidencën.

“Çdo muaj, nga një komunitet i marxhinalizuar a në nevojë bëhet arsyeja jonë e solidaritetit”, shpjegoi me zërin e ëmbël e të qetë.

“Dmth këtu shpirti pluskoka në paqe”, iu ktheva e qeshur Drinit, duke menduar se vokacioni im spiritual i muajve të fundit më kish sjellë tek epiqendra e energjisë pozitive.

Për pak niste ora policore dhe duhej të largoheshim, megjithëse çdo detaj të ftonte butë në qendrim.

Sikur të më kish lexuar mendimin, zonja që na shoqëronte tha befas: “Kemi kohë mjaftueshëm edhe për kompleksin e Mollës” dhe na udhëhoqi drejt një rrugine ku banesat ishin dekoruar me forma nusepashke, kërpudhash e ku taracat e rreshtit të mëposhtëm të vilave kaltëronin nga pishinat private.

Po bëhen dy vite, shumë festa e ngjarje përmidis dhe nëse ka diçka që i gëzohemi pavarësisht kodrinave të jetës me ulje-ngritje është lumturia e Amarisit dhe streha e dashur që na pret si për të shestuar strese e ankthe.

Një strehëz e ëmbël, përqafuar nga rrezet e diellit, ajri i pastër, nën tingujt e zogjve, spërkatur nga ngjyrat e natyrës, në një komunitet solidar e pastërti shembullore, pranë çdo shërbimi të domosdoshëm, që na kujton se për çfarë ia vlen të jetohet.

Luksi i vërtetë është gjithçka natyrore, bio, e freskët dhe solidare që na rrethon. Shtëpia jonë, një histori e asaj që jemi, një koleksion i gjërave, që duam, një vendodhje e respektit për veten e natyrën.

Një rrëfim nga Sonila Meço për jetesën tek Rezidenca “Kodra e Diellit”. Një rrëfim i cili të dërgon drejt një shëtitjeje imagjinare që nga fillimi i pandemisë në Mars të vitit 2020, e deri tek shtëpia, ndjesia e vërtetë që kushdo dëshiron të përjetojë me vendodhjen e duhur, duke respektuar veten dhe natyrën.

Kodra e Diellit, Tirana e fëmijërisë! ~ Sonila Meço