December 1, 2020

Categories: Jeto Gjelber

Sport në natyrë

Njerëzit që ushtrojnë aktivitet sportiv vihen përballë dilemës nëse duhet që të ushtrohen jashtë në natyrë apo brenda katër mureve të palestrës, të rrethuar nga komoditetet, makinat dhe ekranet.

Kemi renditur disa nga arsyet përse është më mirë të ushtrosh aktivitetin sportiv në natyrë.

  1. Stërvitja në natyrë të shton pozitivitetin

Një studim i 2019-s zbuloi se të kalosh kohë në natyrë i bënte njerëzit 50% më të lumtur sesa të kalonin kohë në palestër. Edhe kërkimet e mëparshme e kanë lidhur stërvitjen jashtë me një ulje të tensionit, konfuzionit, inatit dhe depresionit, kur u krahasuan me aktivitetin brenda katër mureve. Nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht një shëtitje e gjatë në park; Një studim i vitit 2017 shkruan se mjaftojnë dhe vetëm 5 minuta stërvitje në një hapësirë të gjelbër për të përmirësuar humorin dhe vetëvlerësimin.

  1. Rrit vëmendjen dhe përqëndrimin

Një studim i shkurtër nga Universiteti i Illinois-it zbuloi se fëmijët me çrregullime mendore ADHD ishin të aftë që të përqendroheshin më mirë pas një shëtitjeje prej 20 minutash në park, krahasuar me një shëtitje në rrugët e qytetit apo të lagjies.

“Ajo çfarë na tregon ky studim i veçantë është se mjedisi ka rëndësi”, tha Frances E. Kuo, një prej autorëve të studimit.

  1. Do t’ju ndihmojë që ta doni stërvitjen

Sado pak stërvitje të bësh, ka rëndësi të madhe për ty. Shumica prej nesh kanë mundësi që të ushtrohen më shumë. Një i rritur duhet të stërvitet rreth 2 orë e 30 minuta në javë me ushtrime kardio me intensitet të moderuar. Për më tepër që duhet të kryejë dy ose më shumë sesione për të forcuar trupin. Ndërmjet orëve të pafundme të punës dhe kërkesave që familja ka, është shumë e thjeshtë që t’i bësh bisht një seanceje stërvitore. Gjithsesi, një vëzhgim i vitit 2018 gjeti se të stërvitesh në natyrë ta riforcon dëshirën për të dalë e për t’u ushtruar prapë. Madje kjo dëshirë është më e fortë se tek ata persona të cilët zgjedhin palestrën për të punuar për trupin e tyre.

  1. Pesha juaj do jetë më e qëndrueshme

Ajri i freskët, drita e diellit, pamja, hapësira – ka shumë e shumë arsye se përse të qëndruarit jashtë ta shton dëshirën për të kryer më shumë aktivitet fizik krahasuar me të qenurit mbyllur në një hapësirë të madhe të rrethuar nga vegla dhe mure. E gjithë kjo lëvizje e madhe sjell rezultate të dukshme. Një studim i vitit 2018 zbuloi se përqindjet e fëmijëve me peshë mbi normalen të cilët kalonin më shumë kohë jashtë ishte 27% deri në 41%, pra më e ulët krahasuar me fëmijët që kalonin më shumë kohë brenda katër mureve.

  1. Do prodhoni më shumë energji

Është e sigurt që ushtrimet do t’ju rifreskojnë kur ju ta ndjeni veten të kapluar nga përtacia, por ajri i freskët mund ta shtojë edhe më shumë këtë efekt. Një studim i vitit 2019 nga Universiteti i Rochester-it zbuloi se vetëm 20 minuta jashtë mund të të gjallërojnë po aq sa edhe një filxhan kafeje. “Shpeshherë ne lumturohemi kur marrim në dorë një filxhan kafeje, por një mënyrë edhe më e mirë që të mbushemi plot energji është që të krijosh një lidhje me natyrën”, tha autori i studimit Richard M. Ryan, profesor i psikologjisë.

  1. Do të përmirësohet niveli i vitaminës D

Të bësh ushtrimet jashtë është një mënyrë shumë e mirë që të marrësh vitaminë D shtesë. Një studim i 2018-s që zbuloi se ushtrimet e vrullshme prodhojnë nivele më të larta të vitaminës, hamendësoi edhe se kryerja e tyre në natyrë mund të jetë arsyeja e kësaj rritjeje. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për njerëzit të cilët duan që të humbin disa kilogramë, duke qenë se njerëzit mbipeshë kanë dy herë më shumë të ngjarë që të mos marrin mjaftueshëm vitaminë D. Vetëm se gjithmonë duhet bërë kujdes me përdorimin e kremit mbrojtës kundër diellit.

Burimi: “Journal of the Philosophy of Sport”, Article, 2019.