November 25, 2020

Categories: Jeto Gjelber

Këshillat kryesore për pronarët e rinj të qenve

Keni vendosur që të bëni pjesë të familjes një qenush? Jeni të shqetësuar mbi çfarë duhet të dini për dietën, kujdesin shëndetësor dhe ushtrimet e tij? Këtu janë disa këshilla për ju sipas faqeve kryesore të kujdesit ndaj kafshëve si Lintbell, Purina, etj.

Pasi të keni përzgjedhur mikun tuaj të ri besnik, është koha të mendoni se çfarë do t’i duhet atij për një jetë të lumtur dhe të shëndetshme. Ne do të ndajmë me ju disa nga këshillat kryesore për t’ju ndihmuar:

1) Bëni listën e blerjeve

Çfarë do t’ju duhet të blini përpara se qenushi juaj të vijë në shtëpi?

  • Ushqimin që i përshtatet qenit tuaj (në varësi të moshës apo racës) dhe disa biskota apo ushqim të njomë për t’i përdorur si shpërblim për sjelljen e mirë. Qentë janë omnivorë, prandaj duhet të hanë një përzierje proteinash (mish ose peshk), karbohidrate dhe fruta apo bimë të dendura në lëndë ushqyese. Shmangni ushqimet që përmbajnë shumë drithëra, ngjyrues dhe aromatizues. Duhet gjithashtu të kuptoni që nuk është mirë të ndani ushqimet tuaja me ta, pasi mund t’i dëmtoni.
  • Një shtrat të rehatshëm – mjaftueshëm të madh që qeni të shtriqet dhe shtrihet i qetë.
  • Lodrat – për një fillim të mbarë përzgjidhni lodra me të cilat qentë mund të argëtohen edhe pa mbikqyrjen tuaj. Ushqimet në formë lodre të cilat ata mund t’i përtypin janë gjithashtu një alternativë shumë e mirë për ta mbajtur mikun tuaj të ri të zënë.

2) Kryeni “punët administrative”

Si një pronar i ri, do t’ju duhet të bëni disa “punë administrative” për t’u përgatitur për mikun tuaj me katër këmbë.

Si fillim duhet të gjeni një veteriner dhe të regjistroheni aty. Më pas duhet të nisni të bëni vaksinat, të cilat do të kërkojnë dedikimin tuaj një herë në javë për të paktën një muaj ose dy. Duhet të ruani kontaktin me veterinerin dhe të jeni në gatishmëri për çdo problem që qenushi juaj mund të ketë.

3) Ushtrimet dhe shëtitjet

A e dini sa të rëndësishme janë ushtrimet dhe shëtitjet për qentë?

Mendojeni kështu: si do të ndiheshit të mbyllur vetëm në shtëpi, pa televizor apo WiFi dhe pa shokë? Kështu ndihen qentë vetëm në shtëpi. Këto ndjesi mund të shkaktojnë çrregullime shëndetësore dhe probleme në sjellje tek ta. Prandaj, shëtitjet dhe të ushtruarit e qenve nuk duhen neglizhuar.

Veterinerët sugjerojnë që për këlyshët, ecjet duhet të jenë të kufizuara në kohë të paktën deri sa të arrijnë pjekurinë e plotë fizike.

Duhet gjithashtu të tentoni t’i stimuloni mendërisht – fikni telefonin dhe ndërveproni me qenin tuaj gjatë shëtitjeve. Flisni me ta, stërvitini dhe kështu ndërtoni/ forconi edhe lidhjen tuaj.

4) Si të ndërtoni një lidhje sa më të shëndetshme me ta?

Është vërtet emocionuese të mirëpresësh në shtëpi një qen të ri, por ndërtimi i një marrëdhënie të mirë kërkon kohë edhe përpjekje që në ditën e parë. Duhet të jeni të afërt por nuk duhet ta lejoni të bëhet i varur nga ju.

Disa rregulla të thjeshta për të krijuar një marrëdhënie të shëndetshme janë:

  • Duhet të vendosni kur nis ndërveprimi; Nuk duhet t’i përgjigjeni sjelljeve lojcake të qenit tuaj. Pasi të qetësohen dhe ju të zgjidhni momentin e përshtatshëm, mund të luani me ta apo t’i përkëdhelni dhe t’i shpërbleni me ushqim.
  • Ashtu siç e nisët, jeni ju ata që vendosni kur duhet të përfundojnë bashkëveprimet – ju i mbyllni lojën dhe përkëdheljet.
  • Zgjidhni një fjalë – për shembull ‘mjaft’ ose ‘boll’ – thuajeni, pastaj injorojini. Shumica e qenve do ta mësojnë këtë shpejt dhe mund të jetë e dobishme të përdoret sa herë që qeni juaj emocionohet shumë. Është gjithashtu një ide e mirë t’i mësoni të përshëndeten në mënyrë të sjellshme, që do të thotë; kur të ktheheni në shtëpi përshëndetni vetëm nëse qeni juaj është i qetë. Nëse qeni juaj është i ngazëllyer ose ju pret me shumë entuziazëm, injorojeni derisa të qetësohet, më pas përshëndeteni.

Por sigurisht siç thamë, një nga mënyrat më të mira për të krijuar lidhjen tuaj me qenin tuaj të ri është të dilni dhe të argëtoheni së bashku.