Zogjtë shtojnë tingujt dhe ngjyrat në natyrë dhe jetën tone. Sigurojnë kënaqësi estetike dhe na pasurojnë ditët me meloditë që krijojnë. Por sigurisht, duhet të përmendim edhe rëndësitë ekologjike të tyre.
Pjalmimi – Pjalmimi është procesi i lëvizjes së polenit nga lulja në lule për të ndihmuar në fekondimin e qelizave seksuale dhe krijimin e bimëve të reja.
Jashtëqitja e zogjve është e pasur me acid urik që mund të shndërrohet lehtësisht në amoniak, i cili ështe një pleh i shkëlqyeshëm për bimët. Gjithashtu, është i pajisur me kalium, fosfat dhe azot – të tre këta elementë janë të nevojshëm për rritjen e bimëve.
Përveç përfitimeve të drejtpërdrejta për njerëzit, zogjtë ndihmojnë në mbajtjen e duhur të ekuilibrit ekologjik.
Përhapja e farës – Shpendët që hanë fruta ose fara të tjera ndihmojnë në bartjen e farave të këtyre frutave dhe bimëve përmes jashtëqitjeve të tyre. Pra, këto fara mund të rriten spontanisht në vende të ndryshme dhe kjo u jep bimëve një shans të rriten në kushte më te favorshme. Shumë bimë janë të varura nga zogjtë për shumimin e farës.
Zinxhiri ushqimor – Shpendët janë gjithashtu mishngrënës në zinxhirin ushqimor dhe ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të popullatës së brejtësve dhe insekteve duke i gjuajtur për ushqimin e tyre.
Përveç rëndësisë ekologjike, shpendët këngëtarë janë pa dyshim pjesa më tërheqëse e natyrës që secili do të dëshironte t’i kishte pranë vendbanimit të tij: në ballkone, në oborre apo kopshte, në mjedise të gjelbra apo gjatë shëtitjeve. Popullatat e një pjese të madhe prej tyre janë sot në rënie dhe ne mund t’i ndihmojmë ata duke i kthyer vendbanimet tona dhe mjediset përreth tyre në një vend të sigurtë dhe mikpritës për ta. Nëse ju i ofroni atyre ushqim (fara dhe fruta), vendosni vaska të vogla me ujë për të pirë dhe për t’u freskuar dhe ndërtoni fole, atëhere ju e keni bërë vendbanimin tuaj tërheqës për ta dhe do të mbeteni të mahnitur nga sa shumë lloje shpendësh mund të tërhiqni.
Metoda 1: Ofro ushqim
Duke ofruar ushqim ju mund të tërhiqni lloje të ndryshme shpendësh në stinë të ndryshme. Disa shpendë janë banorë të përhershëm pranë vend-banimeve tona (si psh. harabeli, disa lloje trishtilash), ndërsa disa lloje janë vizitorë të pranverës dhe veronjës (si psh dallëndyshet); disa të tjerë zbresin nga malet nëpër fshatra dhe qytete për të kaluar dimrin (trishtilat, gushëkuqi, bishtkuqi etj,).
Zgjidh një tip ushqyesi ose “Bird feeder” për shpendët. Tipi i ushqyesit ndikon në llojet e shpendëve që mund të tërheqësh. Megjithatë, pavarësisht nga tipi, çdo ushqyes duhet të plotësojë këto cilësi:
1) ai duhet të mbajë ushqimin apo farat të thata që të mos kalben dhe myken, si dhe 2) të pastrohet sa më lehtësisht.
3) Ushqyesit duhet të lahen rregullisht me qëllim që ushqimi të mos kthehet në një burim myqesh dhe sëmundjesh.
Nëse dëshironi të tërhiqni sa më shumë shpendë pranë, atëherë duhet të përdorni tipe të ndryshme ushqyesish dhe lloje të ndryshme ushqimi. Më poshtë janë llojet e ushqimeve më të mira për shpendët:
- Farat e lulediellit janë më të pëlqyerat për shpendët fara-ngrënës, prandaj ato janë kurdoherë një zgjedhje e mirë nëse dëshironi të shihni sa më shumë lloje shpendësh apo zogjsh.
- Misri është një ushqim i preferuar për pothuajse të gjithë shpendët, por duhet treguar kujdes që të mos jetë i trajtuar me pesticide, sepse i helmojnë ato.
- Farat e kartamit (Carthamus lanatus) janë shumë të pëlqyera për gardelinat, avdosat, harabelat, kumriet, pëllumbat, sorrën dhe laraskën.
- Kikirikët janë po ashtu një ushqim i mirë, por nuk duhen lënë për një kohë të gjatë sepse kontaminohen lehtësisht.
Metoda 2: Ofro strehim.
Lloje të ndryshme shpendësh ndërtojnë fole në vende të ndryshme. Nëse po planifikoni të blini apo ndërtoni një fole, kini parasysh se larmia e llojeve të foleve me madhësi të ndryshme të hyrjes në të tërheqin një shumëllojshmëri shpendësh.
Rezidenca “Kodra e Diellit” është shndërruar në një ekosistem tejet mikpritës për zogjtë, duke numëruar mbi 2000 fole. Foletë janë ndërtuar me qeramikë në dimensione të ndryshme në mënyrë që të jenë të përshtatshme për shumë lloje shpendësh.
Metoda 3: Krijo një vend ndërtimi për foletë duke përdorur materiale natyrore.
Nëse dëshiron të krijosh një zonë më natyrore folezimi, një mënyrë e lehtë është duke lejuar bimësinë e oborrit të rritet në mënyrë natyrale. Lejo që bimësia barishtore të rritet spontanisht duke mos e kositur barin dhe ndërto një tufë shkurresh apo kaçubesh në oborrin tënd. Kjo simulon vendet ku shpendët priren të ndërtojnë foletë në natyrë.
Leave A Comment
You must be logged in to post a comment.