October 17, 2020

Categories: Jeto Gjelber

Shumëkush ka ose do kafshë shtëpiake. Disa të tjerë parapëlqejnë ta gjelbërojnë shtëpinë duke e mbushur me bimë. Por zakonisht, një kombinim i të dyjave vështirë se arrihet me rregull ose paqe.

Kjo ndodh sepse miqtë tanë katërputroshë mund të jenë lojëcakë, hiperaktivë apo kuriozë, duke shkaktuar kështu “aksidente”të cilat rezultojnë në rrëmujë dhe dëmtim të bimëve.

Një problem tjetër tepër i rëndësishëm që vjen si pasojë e kombinimit kafshë shtëpiake dhe bimë, është dëmi që shpesh harrojmë se përveç luleve dhe shtëpisë, mund t’i ndodhë katërputroshëve tanë.

Kjo sepse bimë të ndryshme janë toksike dhe potencialisht fatale për ta, sidomos për macet.

Një shembull është një ndër bimët e cila gjendet rëndom në shtëpitë tona; zambaku (Lilium spp dhe Hemerocallis spp), i cili është jashtëzakonisht toksik për macet dhe madje mund t’i vrasi ato.

E gjithë bima – pra secila pjesë e saj – është toksike. Gëlltitja e këtyre pjesëve mund të shkaktojë probleme në veshka dhe të arrije deri në dështim të plotë të funksionalitetit të tyre në vetëm 36-72 orë. Toksiciteti mund të arrihet si pasojë e gëlltitjes ose dhe thjesht e përtypjes të sasive të çfarëdolloj mase të zambakut.

Nëse vendosni të rrisni zambak, atëhere duhet të siguroheni që macja s’do të ketë akses në ambjentin ku keni vendosur bimën.

Nëse macja juaj ka luajtur me apo ka trazuar një zambak – edhe nëse nuk e keni parë vetë të qaset me bimën por ama keni dyshime – çojeni menjëherë tek veterineri më i afërt.

Simptomat e dukshme përfshijnë:

  • Të vjella (shpesh përmbajnë copa zambaku)
  • Shenjat që lidhen me dështimin e veshkave duke përfshirë humbjen e oreksit, letargjinë, depresionin dhe pamundësinë për të urinuar.

Çelësi i trajtimit të suksesshëm është pikasja e hershme e gëlltitjes apo përtypjes së mundshme dhe menaxhimi veterinar i problemeve me veshkat që vijnë si pasojë.

Përpara se të vendosni të zgjeroni familjen tuaj jeshile, mendoni edhe për familjen me katër putra dhe konsultohuni me veterinerin, ose pse jo edhe me internetin.