“Kodra e Diellit” spikat jo vetëm si rezidencë, por edhe si një galeri arti. Çdo detaj është i kuruar me kujdes dhe dashuri në mënyrë artizanale dhe eco-friendly nga artistët tanë të përzgjedhur.
Vetëm falë tyre, një xhiro në rezidencë të bën të ndihesh sikur je duke ecur në një galeri të mirëfilltë arti në natyrë.

Një ndër këto artistë është edhe Olta Ymeri, e cila ka 7 vite që trupëzon kreativitetin e saj në rezidencë, si dhe projekte të ndryshme jashtë saj.

Që në vegjëli, Olta e ka ndjerë thirrjen e saj drejt artit duke zgjedhur pikturën si aktivitet kryesor për t’u argëtuar, lodrat ishin dytësore.

Sigurisht, ka patur edhe një frymëzim pas këtij vizioni të hershëm: ndjekja e hapave të babait të saj, i cili ka mbaruar liceun artistik për pikturë. Paçka se ai vijoi me një drejtim tjetër në jetë, dashuria e tij për pikturën la gjurmë dhe ishte një shtysë për vajzën e tij.

Olta ndoqi Liceun Artistik për pikturë, por stili dhe saktësia e saj në të vizatuar, e dërguan drejt profilizimit në skulpturë monumentale, ku ajo zbuloi se ndihej më në territorin e saj dhe kishte mundësinë të shprehte veten ashtu siç duhej.

Pasionit të saj, i qëndroi besnike me stoicizëm duke vijuar rrugëtimin drejt Akademisë së Arteve, ku u pranua ndër të parat në fushën e saj.

Portofoli i pasur i punimeve dallonte ndër të tjerë, dhe çfarë e bënte më së shumti të veçantë ishin punimet nudo. Këto punime, nisin të bëhen në akademi, por Olta dëshironte të tejkalonte pritshmëritë dhe të guxonte. Po të bisedosh me të, është shumë e lehtë të kuptosh se ambicia e saj për të tejkaluar pritshmërinë dhe vetveten, është motivimi i saj, i cili i ka shtruar dhe vazhdon t’i shtrojë rrugën drejt të qenurit një artiste e plotësuar në çdo aspekt.

Akademia e Arteve ishte për të hapësira ku ajo u formua më shumë artistikisht, duke zbuluar dhe kuptuar më shumë veten konceptualisht.

Profilizimi i saj në Akademi nuk erdhi si rastësi; ajo zgjodhi qeramikën sepse ishte një fushë në të cilën nuk kishte eksperimentuar shumë të cilën donte ta përvetësonte, jo vetëm për të patur larmishmëri aftësish skulpturale, por edhe sepse gjithmonë ishte në kërkim të mënyrës më të mirë për të shprehur veten nëpërmjet artit të saj. Gjithashtu, sepse Oltës i pëlqen të modelojë dhe të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me materien. “Është një bashkëveprim shumë interesant, shumë emocional, sikur bëhesh një trup i vetëm me materien të cilën po përpunon. Të përfshin aq shumë, dhe ti e ndjen sa shumë po jep nga vetja.” – shprehet ajo për procesin që sjell në jetë veprat e saj të artit.

Përgjatë periudhës së Liceut Artistik, frymëzim kryesor ka patur Rilindjen Italiane; Mikelanxhelon dhe Leonardon. Olta i konsideron ata si një shkollë, pasi gjithmonë tentonte të bënte të sajat teknikat e tyre të vizatimit, të cilat ishin shumë grafike.

Duke u rritur, interesi i saj kaloi në rrymën post-kubiste dhe Henry Moore ishte artisti tek i cili ajo gjente më shumë veten, kjo prej karakteristikave të mënyrës së tij të të modeluarit.

Me të mbaruar Akademine, Olta zgjodhi një rrugë e cila për shumë njerëz do të dukej si jashtë fushës së saj, por ajo nuk mendon kështu. Masteri i cili ndoqi ishte për Marrëdhënie me Publikun, pasi e konsideronte dhe të komunikuarit një art në vetvete. Ajo mund ta shprehte veten nëpërmjet skulpturës, por si gjithmonë, dëshironte të shkonte përtej. Donte të bënte më të mirën për ta shprehur veten në çdo mënyrë dhe për të reklamuar punen e saj ashtu siç duhej.

Vetëm për diçka Olta ishte e bindur: “Do merresha me art. Për këtë isha 100% e sigurtë, gjithmonë”.

Thonë që nëse me të vërtetë e do diçka dhe punon për të, universi punon bashkë me ty për ta bërë realitet. Në një treg të vogël si Shqipëria, do të dukej e pamundur gjetja e një pune e cila do t’i jepte mundësinë Oltës të ndiqte ëndrrën e saj, por ja që ndonjëherë ëndrrat bëhen realitet dhe ajo sot është duke punuar dhe duke u rritur dita ditës në profilin e saj: punim industrial dhe artistik qeramike.

Një ndër ambicjet e Oltës, ishin punimet e mëdha, të cilat kërkojnë eksperiencë dhe janë një sfidë duke marrë në konsideratë atë çfarë ofron qeramika. Këtu takohen preferencat e saj me atë të Moore, i cili ka thënë se “çdo gjë që ai bënte, ishte parashikuar të ishte e madhe”.

Por, si çdo çdo ambicje tjetër e Oltës, kjo ishte thjesht e rradhës e cila u ushqye me sukses. Teknika dhe dimensioni i skulpturave të parqeve bërë nga ajo, aplikohen rrallë në Shqipëri, ndaj e konsideron këtë një sukses në karrierën e saj.

Kjo arritje thjesht e inspiron atë edhe më shumë, duke lënë vend për sfida të reja. Olta aktualisht po eksploron dhe zgjeron më tutje aftësitë e saj duke punuar me art të implementuar në arkitekturë.

Përpos punës së pashoqe në Kodrën e Diellit, punimet e Oltës shtrihen dhe më tej. Ajo u zgjodh për të bërë bustin e një emri të madh si ai i Enver Fajës, një ndër arkitektët më të famshëm të Shqipërisë i cili njihet si një bashkëprojektues në disa vepra të mëdha si Galeria e Arteve, Qyteti Studenti dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Por le ta lëmë artin e Oltës të flasë vetë më një tur të vogël fotografik të punëve të saj.