November 21, 2020

Categories: Jeto Gjelber

Shumë e më shumë njerëz po zgjedhin të jetojnë në zona urbane dhe të qëndrojnë brenda në zyrë në pjesën më të mirë të ditës. Kjo mënyrë jetese i jep atyre mundësi të kufizuara për të gjetur dhe shijuar ajër të pastër.

Kur themi “ajër i pastër”, nënkuptojmë ajër që duhet të përmbajë rreth 20-21% oksigjen. Oksigjeni është gazi më i rëndësishëm për mbijetesën e qenieve njerëzore në Tokë. Pa oksigjen, një person do të vdiste pothuajse menjëherë. Në fakt, një person mund të mbijetojë mesatarisht vetëm 3 minuta pa oksigjen para vdekjes. Ajri i ndotur ose i ndenjur përmban një vëllim më të vogël oksigjeni. Kjo mund të çojë në vështirësi në frymëmarrje dhe funksionim të dobët të sistemeve të trupit. Prandaj, rëndësia e marrjes së sasisë së duhur të ajrit të pastër nuk duhet lënë pas dore.

Por, cilat janë disa nga përfitimet shëndetësore që na vijnë nga ajri i pastër?

Ajri i pastër rrit imunitetin ndaj sëmundjeve të frymëmarrjes.

Një shkak kryesor i infeksioneve të frymëmarrjes (veçanërisht i atyre të sistemit të traktit të sipërm) është prania e mikroorganizmave, pluhurit dhe toksinave që merren nga ajri. Thithja e ajrit të pastër zvogëlon shanset për të marrë këto substanca të dëmshme. Në këtë mënyrë imuniteti ynë rritet natyrshëm ndaj sëmundjeve të caktuara të frymëmarrjes. Çfarë është interesante është se ju mund të shpëtoni nga grimcat e dëmshme që përfundojnë në traktet tuaja të frymëmarrjes thjesht duke marrë frymë në ajër të pastër; dhe sa më i freskët e i pastër të jetë ajri, aq më mirë. Për shembull; Ajri i freskët në bregdet ka një sasi të konsiderueshme molekulash uji të cilat kur thithen, ndihmojnë në bllokimin e këtyre substancave të huaja, duke ju ndihmuar kështu t’i nxirrni më lehtë nga sistemi. Kërkimet kanë provuar gjithashtu se disa minuta shtesë të kaluara duke shijuar flladin e detit mund të përmirësojnë ndjeshëm simptomat e pacientëve azmatikë.
Qelizat e bardha të gjakut të cilat janë të rëndësishme në luftimin e sëmundjeve në trup gjithashtu përdorin oksigjenin e marrë në ajër të pastër për të kryer aktivitetet metabolike.

Ruan shëndetin e zemrës

Oksigjeni i pranishëm në ajrin e freskët që thithim, absorbohet përmes kapilarëve në mushkëri në sistemin kardiopulmonar. Zemra pompon gjak të oksigjenuar në pjesët e tjera të trupit ku ndodh frymëmarrja qelizore. Kur ajri ndotet, sasia e oksigjenit ulet dhe në këtë mënyrë përfundojmë duke patur gjak jo të oksigjenuar mirë, duke e bërë sistemin kardiopulmonar të punojë më shumë për të furnizuar me oksigjen qelizat. Me kalimin e kohës, kjo gjë i shkakton stres zemrës dhe mund të shkaktojë probleme. Pra, duhet të kuptojmë se furnizimi i duhur me oksigjen ndikon në një zemër më të shëndetshme dhe tension të rregullt.

Përmirëson gjendjen e humorit

A e keni vënë re se ndiheni më mirë dhe më të lumtur pasi keni marrë ajër të pastër? Kjo sepse prania e oksigjenit të mjaftueshëm në trup rrit nivelin e Serotoninës – hormonit të lumturisë. Nuk do mend të themi se sa më në humor të jeni, aq më efektiv dhe produktiv do të jeni.