March 22, 2021

Categories: Komuniteti i Kodres

Kërmilli i Kërcynjtë është një vepër artistike me shumë autorë ku koncepti i artistit kryesor integrohet me perceptimin aktiv që kanë për kontributin e tij një mijë e një autorë të tjerë.

Kush janë këta autorë?

Janë një mijë e një rezidentët që jetojnë e do të jetojnë brez pas brezi në Rezidencën “Kodra e Diellit”, individë të cilët zgjodhën që të rrisnin fëmijët e tyre larg stresit, ndotjes së ambientit dhe zhurmave të kryeqytetit. Këta njerëz që janë artistët e jetës së tyre në një komunitet të ndryshëm, njëkohësisht kanë vendosur të bëjnë art së bashku me artistin e veprës “Kërmilli i Kërcunjtë dhe Kënga e Levozhgave”. Ata hedhin ngjyrë mbi pemën dhe kërmillin duke lënë shenjën e tyre mbi këto dy lëvozhga që e mbajnë kaq bukur jetën brenda. Loja e dy lëvozhgave njërës të kërcunjtë dhe tjetrës të përqafuar mirë në spiralen e kërmillit të cilat mbrojnë brenda me aq dashuri kapilaret e jetës, është kompozimi më i mirë i qytetit të ëndërruar nga çdo njeri. Mënyra se si mbështeten këto dy levozhga mbi njëra- tjetrën për t’i dhënë liri ekzistencës që ngre kokën prej vetë kërmillit janë një moment inspirimi modest që materializohet në vepër. Vepra ka zgjatur 5 vjet, po aq sa zgjati ndërtimi i Rezidencës “Kodra e Diellit” 2.

Me kohën, kjo vepër shndërrohet në art muzikor. Imponohet një ritëm për të copëtuar kohën dhe prodhohet muzikë. Por nëse artistët vendosin ta copëtojnë kohën nën ritmin e dimensionuar nga ëndrra e tyre për të jetuar ndryshe atëherë ata prodhojnë njësoj edhe muzikë. Koha copëtohet kësaj radhe nga përpjekjet e tyre të përditshme për të ndërtuar lëvozhgën e tyre të jetës. Koncepti zhvillohet si muzika e ëndrrave të njerëzve që vendosin të ngjyrosin bashkë jetën në komunitet. Jeta jonë mund të bëhet më e mirë nga njëri-tjetri. Forca e individualizmit nuk rri askund më mirë se sa në hapësirën e dashurisë. Duhet kohë për të ndërtuar një qytet dhe kjo është muzika e qytetit, kënga e tij, “Kënga e lëvozhgave”.

Teknika:

Artisti kryesor, Matlinda Mehmetaj, zhvillon skeletin e veprës të dimensionuar mbi fasadë me forma në materiale ndërtimore, llaç ndërtimi dhe rrjeta metalike. Struktura vishet me elemente qeramike që krijojnë një skulpturë të madhe të stilit mozaik. Sipërfaqja totale e veprës është 84 m2. Balta e përgatitur është një mishel1 balte dhe rëre e përshtatme për eksterier. Është trajtuar qëllimisht mat për të pasur një ndjesi tradicionale të qeramikës dhe për të evidentuar më bukur formën e skulpturës. Sasia e baltës së përdorur është 3 ton.

Dritaret e formuara tek pema dhe tek kërmilli janë të trajtuara me tifani (vetrazh).

Elementet e perdorura janë qeramikë me kënde, harqe konkord dhe konvers, kënde me grade të ndryshme, pllaka të disiplinuara dhe forma të ndryshme gjeometrike. Elementi mozaik, pjesërisht i glazuruar (ngjyrosur) është me dimension 3*3 cm. Ndërsa numri total i elementëve qeramikë-mozaik është 35 000 copë.

Realizimi:

1001 banorët e qytetit, pronarët e çertifikuar të nje shtëpie tek Rezidenca “Kodra e Diellit” janë përfshirë së bashku duke e kthyer këtë vepër në një vepër publike. Pas nënshkrimit të kontratës së blerjes së shtëpisë, ata bëhen pjesë e bashkëjetesës dhe e çdo akti rekreativ në Rezidencë.

Elementët e përgatitur posaçërisht për 1001 autorët e tjerë janë gurë në formë parelelogrami me baltë neutrowhite e përzierë me quartz dhe i glazuruar me ngjyra të ndryshme që rrinë në harmoni me qeramikën. Ndryshe nga elementet e tjerë qeramikë të veprës të cilët kanë përbërje argjile lokale.
Dallojnë gjithashtu nga ngjyrat e tjera të perdorura në fasadë sepse janë më të fuqishme dhe me shkëlqim, falë edhe pjekjes me furrë elektrike. 1001 autorë kanë mundur të zgjedhin midis ngjyrave bojëqielli, e verdhë indiane, jeshile bizele, portokalli, lejla. Dimensionet e këtyre elementeve janë më superiore krahasuar nga elementët e tjerë të ngjyrosur. Ata janë në përmasa 14×6 cm.

Vepra është e pozicionuar si një ekspozitë e përhershme në hollin e hyrjes së objektit.

Fotot dokumentuese:

Foto të procesit të konceptimit:

 

Foto të mozaikëve të përdorur

Foto gjatë vendosjes

Titulli: Kërmilli i Kërcynjtë

Teknika: Mozaik & qeramikë

Autor: Matlinda Mehmetaj, skulptore & 1001 banorët e Rezidencës “Kodra e Diellit”

__________________________________________________________________________

1 Mishel – lëng balte e homogjenizuar. Kryesisht përdoret për ngjitjen e baltës.