January 12, 2021

Categories: Komuniteti i Kodres

Rezidenca “Kodra e Diellit” së bashku me banorët e saj kontribuojnë për grupet shoqërore të margjinalizuara në mënyra të ndryshme prej disa vitesh. Këtë vit, nën tematikën ‘Një familje e madhe SOLIDARE’, dhuruam për familjet në nevojë dhe të moshuarit. Banorët e Rezidencës iu përgjigjen me dëshirë dhe solidaritet kësaj thirrjeje për grumbullimin e ndihmave.

Viti që lamë pas, ishte i vështirë për të gjithë ne. Një pjesë e jona humbi njerëzit më të dashur, disa të tjerë humbën punën ose mbyllën biznesin, e disa të tjerë mbetën të vetmuar nga distancimi social. Por, mbi të  gjitha, ky vit që lamë pas na mësoi dhembshurinë, sakrificën dhe dashurinë për tjetrin.

Më datë 6 Dhjetor 2020 në “Kodrën e Diellit”, nëpërmjet rrjeteve sociale por edhe vendosjes së banerave nëpër Rezidencë, banorët dhe jo vetëm, u lajmëruan për t’iu bashkuar iniciativës së përvitshme që organizohet çdo fundvit. Në një botë më të lidhur nga pikëpamja dixhitale, secili prej nesh ka fuqinë dhe përgjegjësinë për të frymëzuar miqtë tanë që të ndihmojnë të tjerët dhe të krijojnë një botë më humane. Reagimet ishin të shumta, aq sa në afatin e fundit të dhurimit na kërkuan një shtyrje të tij, nga 24 Dhjetor në 28 Dhjetor. Dhe kështu u bë!

Të jesh humanitar nënkupton të angazhohesh aktivisht për të përmirësuar mirëqenien njerëzore dhe jo vetëm, por edhe të bësh dikë të lumtur.

Vit pas viti grumbullimet e ndihmave shtohen dhe “Shtëpia e Dhuratave” u mbush plot!

Ajo çfarë na bëri më tepër përshtypje ishte dëshira e fëmijëve për t’i dhuruar fëmijëve të tjerë gjërat e tyre dhe kartolinat e bukura plot dritë e shpresë që kishin shkruar për to. Fëmijët kështu rriten me ndjesinë e mirë të të ndihmuarit dhe dhuruarit sipas mundësive të tyre.

Ne, në bashkëpunim me ju banorë të Rezidencës “Kodra e Diellit”, bëmë disa familje të lumtura dhe u dhuruam buzëqeshje të moshuarve të Azilit të Tiranës. Bujaria dhe zemërgjërsia juaj ishin një arsye më tepër për të përcjellë mesazhin më të bukur për festat e fundvitit.

Faleminderit ju dhe fëmijët tuaj!

Faleminderit Kisha “Nxënësit e Jezusit” dhe Kisha “Rilindja” që na udhëzuat drejt familjeve më në nevojë për të ndihmuar!

“Ne nuk mund të ndihmojmë këdo, por kushdo mund të ndihmojë dikë” – Nënë Tereza

Në videon e mësipërme do të gjeni momente të shpërndarjes së ndihmave.